Secondary Adv

BB 1.6 mln USD qeverisë për studime fizibiliteti mbi sigurinë e 400 digave

Qeveria ka kërkuar financim pranë Bankës Botërore për të kryer studime paraprake fizibiliteti në kuadër të sigurisë së disa qindra digave në kushtet e ndryshimeve klimatike.


Në një dokument të publikuar së fundmi fondi që mund të vihet në dispozicion nga Banka pas miratimit që pritet në fund të nëntorit llogaritet në 1.6 milionë dollarë.

 

Kjo shumë duket se synon të mbulojë vetëm studimet që do në nxjerrin në pah nevojat për investime në funksion të rritjes së sigurisë së këtyre 400 digave, 

 

që janë kryesisht me funksion në bujqësi dhe që mbeten përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

“Projekti synon të mbështesë Qeverinë Shqiptare në kryerjen e studimeve paraprake të fizibilitetit të më shumë se 400 digave ekzistuese. 

 

Në përgjithësi qëllimi është zbulimi dhe adresimi i rrezikut klimatik për menaxhimin e ujit, bujqësinë dhe infrastrukturën e rrënuar të ujit me fokus në rritjen e kapacitetit të ruajtjes së ujit të rezervuarëve për përshtatjen ndaj një klime në ndryshim.

 

Konkretisht, projekti synon të përgatisë bazat drejt rritjes së sigurisë dhe disponueshmërisë së ujit të digave për të ujitur një sipërfaqe prej 180,000 ha tokë bujqësore të vendosur kryesisht në pjesën perëndimore-bregdetare të Shqipërisë nga Shkodra në Vlorë,

 

duke u mundësuar 200,000 fermave rritje të rendimentit dhe të ardhurave të fermave” thuhet në dokument.

 

I njëjti nënvizon se rehabilitimi, modernizimi i digave dhe përmirësimi i sigurisë së tyre do të duhet të përfshijë masa strukturore dhe jo strukturore, vlerësim hidrologjik, 

 

forcim strukturor të digave dhe përmirësim të ruajtjes së ujit në rezervuarë, menaxhimi i sedimenteve, modernizimi i kontrollit dhe monitorimit, si dhe masa të tjera që do të përmirësonin sigurinë dhe funksionimin e digave.

 

Sipas përshkrimit të projektit rritja e sigurisë së digave do të siguronte përfitime socio-ekonomike dhe mjedisore në Shqipëri.

 

/Monitor (https://monitor.al/bb-1-6-milione-usd-qeverise-per-studime-fizibiliteti-mbi-sigurine-e-400-digave/)


Më të lexuarat